Mekanika klasike është një model fizik i forcave që veprojnë mbi trupat. Zakonisht rreferohet si "mekanika Njutoniane" sipas Isak Njutonit dhe ligjeve të lëvizjes. Mekanika ndahet ne statikë, e cila modelon trupat në prehje, kinematikë, e cila modelon trupat në lëvizje, dhe dinamika, e cila modelon trupat mbi të cilët aplikohen forca të ndryshme. Mekanika klasike e trupave të vazhduar dhe të deformueshëm njihet si mekanika e kontiniumit, e cila vetë ndahet në mekanikën e ngurtë dhe mekanikën fluide sipas gjëndjes së lëndës që studiohet. Kjo e fundit, mekanika e lëngjeve dhe gazeve, përfshin hidrostatikën, hidrodinamikën, pneumatikën, aerodinamikën, dhe fusha të tjera. Mekanika statike merret me objekte që janë në prehje. Mekanika kinematike merret me objekte në lëvizje. Mekanika dinamike merret me lëvizjen e shkaktuar nga forcat që veprojnë mbi trupat.
Mekanika klasike jep rezultate të sakta në fushën e saj të aplikimit, e cila është eksperienca e përditshme. Ajo zëvendësohet nga mekanika relativiste për sisteme që lëvizin me shpejtësi të krahasueshme me atë të dritës, nga mekanika kuantike për sisteme në shkallë të vogël, dhe nga teoria kuantike relativiste e fushës për sisteme që kanë të dyja veçantitë e mësipërme. Megjithatë, mekanika klasike është akoma e dobishme, sepse ajo është shumë më e thjeshtë për tu aplikuar në krahasim me teoritë e tjera si dhe ka një fushë të gjerë aplikimi. Mekanika klasike mund të përdoret për të përshkruar lëvizjen e objekteve me përmasa të konsiderueshme (si topat ose makina), objekte astronomike (si planetet apo galaksitë), dhe disa objekte të caktuara mikroskopike (molekula organike).
Nje koncept i rëndësishëm në mekanikë është identifikimi i madhësive të konservuara si energjia dhe momenti, të cilat çojnë te mekanika Lagranzhiane dhe ajo Hamiltoniane të cilat janë riformulim të ligjeve të Njutonit. Teori si mekanika e fluideve si dhe teoria kinetike e gazeve janë rezultate të aplikimit të mekanikës klasike tek sistemet mikroskopike. Rezultate të koheve të fundit në studimin e sistemeve dinamike jolineare i kanë dhënë lindje teorisë së kaosit, studimi i sistemeve ku ndyshime të vogla shkaktojnë efekte të mbëdha. Ligji gravitacional i Njutonit, i formuluar në mekanikën klasike,shpjegoi Ligjet e Keplerit mbi lëvizjen planetare si dhe ndihmoi në transformimin e mekanikës klasike në një element të rëndësishëm të revolucionit shkencor.